Hassett: Trump përjashtoi Rusinë nga tarifat për shkak të armëpushimit në Ukrainë

Hassett: Trump përjashtoi Rusinë nga tarifat për shkak të armëpushimit në Ukrainë

Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kevin Hassett tha dje në mbrëmje se presidenti amerikan, Donald Trump vendosi të përjashtonte nga tarifat Rusinë për shkak të rrezikut të dështimit të bisedimeve në vazhdim për një armëpushim të mundshëm në luftën në Ukrainë.

Rusia nuk u perfshi nga tarifat ndëshkuese gjithëpërfshirëse të Trump të shpallura në pothuajse të gjitha vendet në mbarë botën – përfshirë Ukrainën – në fillim të javës.

“Kjo nuk do të thotë se Rusia po trajtohet krejtësisht ndryshe nga vendet e tjera – por Trump po fokusohet në bisedimet me Rusinë për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës”, tha Hassett.

Në një deklaratë fillestare pas shpalljes së tarifave, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha se Rusia nuk ishte përfshirë në tarifat gjithëpërfshirëse – pasi sanksionet e SHBA-së përjashtojnë çdo tregti të rëndësishme.

Sipas të dhënave nga Byroja e Regjistrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregtia midis Rusisë dhe SHBA-së u tkurr ndjeshëm në krahasim me periudhën para luftës së agresionit kundër Ukrainës.

Megjithatë, Rusia ende renditet përpara Ukrainës në bilancin tregtar të SHBA-së për importet e mallrave. Sipas zyrës së statistikave të SHBA-së, në vitin 2024 mallra me vlerë rreth 3 miliardë dollarë erdhën nga Rusia në SHBA – krahasuar me rreth 1,2 miliardë dollarë nga Ukraina.

Administrata e Trump ka nisur bisedimet me synimin për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Megjithatë, presidenti amerikan ka treguar më shumë mirëkuptim ndaj Rusisë sesa ndaj Ukrainës në javët e fundit, duke nxitur akuza se ai është më shumë në anën e Moskës. /atsh/

Share This