Harris mes dy figurave për të zgjedhur kandidatin për nënpresident

Harris mes dy figurave për të zgjedhur kandidatin për nënpresident

Kandidatja e demokratëve për presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris e ka ngushtuar në dy emra listën se kë të zgjedhë për të garuar në pozitën e nënpresidentit, në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve Reuters, Harris do të zgjedhë në mes të guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro apo atij të Minesotas, Tim Walz.

Harris, nënpresidente e Shteteve të Bashkuara, pritet të bëjë të ditur emrin të martën, para se të bëjë daljen e parë publike me kandidatin për nënpresident, në një organizim të Universitetit Temple në Filadelfia.

Ai organizim do të shënojë nisjen e një tuneu pesëditor në shtatë shtete të ndryshme amerikane, me qëllim të rritjes së mbështetjes para zgjedhjeve presidenciale, transmeton Rel.

Zgjedhja e kandidatit për biletë presidenciale është ndër vendimet më të rëndësishme në karrierën politike të Harrisit, teksa ajo tenton të mposhtë kandidatin e republikanëve, ish-presidentin, Donald Trump dhe senatorin amerikan, J.D. Vance, të përzgjedhur prej Trumpit si kandidat për nënpresident.

Share This