Harris: Do të bashkoj demokratët dhe ne do të fitojmë
Trump dëshiron ta çojë vendin tonë mbrapa, por ne nuk do të kthehemi më prapa, sepse beteja jonë është për të ardhmen dhe lirinë, deklaroi kandidatja për presidente e SHBA, Kamala Harris.
“Nuk kemi frikë të punojmë shumë… Unë dua të bashkoj partinë për të fituar në nëntor sepse kur luftojmë, fitojmë”, theksoi ajo.
Harris tani e ka nominimin të siguruar, ndërkohë që sondazhi i parë nga Reuters-Ipsos, pas tërheqjes së presidentit, i jep asaj një epërsi prej dy pikësh ndaj Donald Trump.
Harris u përqëndrua në mesazhin e saj për të rivendosur fuqinë e demokratëve në një shtet që luhatet, Wisconsin, i cili së bashku me Michiganin dhe Pensilvaninë, përfaqëson murin blu që duhet ”mbrojtur me dhëmbë”.
Ndërkohë, më pak se 36 orë pasi presidenti Biden u tërhoq nga gara, zëvendësja e tij ka siguruar angazhimin verbal të mbi 2 500 delegatëve, shumë mbi kuorumin prej 1 976 për të marrë nominimin.
Delegatët ende mund të ndryshojnë qëndrim, por vetëm disa dhjetëra janë të pavendosur dhe deri më tani nuk është shfaqur asnjë rival. /atsh/