Harris dhe Walz: Stil i afrueshëm me një agjendë liberale
Ishte shfaqja e tyre e parë së bashku – dhe mbështetësit e tyre festuan: Kamala Harris ishte plot lëvdata për “shokun e saj të garës”. Tim Walz u tregua i afrueshëm, por tregoi edhe se dinte të sulmonte.
Zagushi e 33 gradë Celsius në Filadelfia, në shtetin amerikan të Pensilvanisë: mijëra njerëz të të gjitha moshave dhe ngjyrave shkojnë në arenën e mbushur plot, Sophia, 27, ndodhet atje për më shumë se një orë dhe ende shumë larg në radhën pothuajse të pafundme. Por punonjësja sociale është ende me humor të mirë: “Për herë të parë pas një kohe të gjatë, ndihemi sikur kemi shpresë të vërtetë”.
Sophia është gjithashtu më shumë se dakord me vendimin e parë të Kamala Harris-it si kandidate e sapozgjedhur presidenciale: zgjedhjen e Tim Walz-it, guvernatorit ende të panjohur të Minesotës, zëvendësin e saj.
Një burrë i bardhë përkrah asaj që mund të jetë gruaja e parë me origjinë indiano-xhamaikane në Shtëpinë e Bardhë. “Një zgjedhje shumë e mirë,” thotë Sophia. “Nuk di ende shumë për të, por me të kemi mundësinë t’u drejtohemi jo vetëm njerëzve që nuk e dinë se për kë duan të votojnë, por edhe nëse duan fare të votojnë. Dhe mendoj se janë pikërisht këta njerëz që mund të arrijë ai.”
“Një mësues si e meriton çdo fëmijë”.
Më pas, në arenën e mbushur deri në vendin e fundit, duartrokitjet kanë rënë për disa minuta. Njerëzit mbajnë lart tabela të saposhtypura me emrat e ekipit të kandidatëve demokratë përpara se Harris dhe Walz të thonë “mirëmbrëma”.
Harris, 59 vjeç, më pas lavdëron guvernatorin, disa muaj më i madh në moshë se ajo: oficer i Gardës Kombëtare për një kohë të gjatë, kongresmen i suksesshëm dhe guvernator edhe më i suksesshëm, një familjar i përkushtuar – dhe, ajo që është veçanërisht mbresëlënëse në sytë e Harris-it: një mësues i përkushtuar ndaj pakicave. Dhe trajner i ekipit të futbollit të shkollës së tij, i cili e bëri ekipin e tij nga humbës të përhershëm në kampion kombëtar.
“Ai ishte një mësues siç e dëshiron dhe e meriton çdo fëmijë,” tha Harris. “Sepse ai i bën njerëzit të ndihen pjesë e një grupi dhe i frymëzon ata. Dhe pikërisht ky lloj zëvendëspresidenti do të jetë ai.”
Jo vetëm optimizëm, por edhe sulm
Walz përkulet me respekt, vendos dorën në zemër. Dhe u flet qartë nga zemra shumë njerëzve të pranishëm kur thotë: “Faleminderit për nderin – por mbi të gjitha faleminderit që e rikthyet gëzimin”.
Kathleen, pensioniste nga Nju Xhersi, pajtohet: “Energjia është e njëjtë si atëherë përpara se Barack Obama të zgjidhej në 2008.” Por, Walz tregon në mbrëmje edhe se nuk është vetëm optimist, por edhe i aftë për të sulmuar: kandidati republikan dhe ish-presidenti Donald Trump nuk i shërben popullit, por vetëm vetes.
Zëvendëskandidati i Trump-it, J.D. Vance, nuk përfaqëson aspak “Amerikën e mesme”, Amerikën përtej elitave bregdetare. Me bestsellerin e tij, senatori nga Ohio, përkundrazi, ka shlyer origjinën e tij dhe i ka shitur fqinjët e tij.
Walz përsëri përdor karakterizimin e suksesshëm ditët e fundit: Trump dhe Vance janë “tmerrues dhe të çuditshëm”.
Votoni për të ardhmen
Për publikun në sallë, Walz e kalon shkëlqyeshëm paraqitjen e tij të parë si kandidat për zëvendëspresident. Por karakteri i afërt dhe popullor i Walz shoqërohet gjithashtu nga një axhendë liberale: në Minesota, Walz u kujdes për një të drejtë liberale për abort, që ligjet për armët të ishin më të rrepta dhe që ushqimi në shkolla të ishte falas.
Kjo është pikërisht ajo që vlerëson te ai Temi, 27 vjeç, nga Filadelfia. Walz është demokrati i rrallë që tregon se nuk duhet të jesh i moderuar për të fituar zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.
Si afrikano-amerikan, ai e ka ndjerë veten shpesh të përdorur nga demokratët si bagëti elektorale deri tani. Kjo ka ndryshuar: “Për herë të parë, ne po votojmë për të ardhmen, jo nga depresioni apo frika”.
Edhe punonjësja sociale Sophia është plot shpresë: “Kemi vërtet një shans për të fituar.”