Haradinaj: Takimet e shefit të CIA-s me krerët e shtetit, lajm i mirë

Haradinaj: Takimet e shefit të CIA-s me krerët e shtetit, lajm i mirë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar përsëri vizitën e shefit të CIA-s në Kosovë, William Burns dhe takimet e tij me zyrtarët shtetëror.

Haradinaj, i cili kishte thënë se Burns nuk do ta takonte kryeministrin Albin Kurti për shkak të bllokadës së vendosur nga institucionet amerikane, ka reaguar sërish pas takimit të shefit të CIA-s me Kurtin.

“Vizita e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës z. Burns në Kosovë, është nder i madh për Kosovën dhe lajm i mirë për sigurinë tonë. Për ne, është jetike integrimi në familjen euroatlantike, dhe aleanca me Amerikën është e përjetshme”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën.

“Takimet e drejtorit z. Burns me udhëheqësit e institucioneve janë lajm i mirë për Kosovën. Sa i përket Kurtit dhe agjendës së tij, i’a lëmë kohës ta dëshmojë, por askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën. Ajo është e përjetshme dhe jetike”, ka shkruar Haradinaj, raporton rtk.

Share This