Haradinaj: Nëse fitoj në zgjedhjet e ardhshme, Kosovën e fus në NATO

Haradinaj: Nëse fitoj në zgjedhjet e ardhshme, Kosovën e fus në NATO

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka premtuar se Kosova do të hyjë në NATO nëse ai do të bëhet kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Në një intervistë për A2 CNN, Haradinaj theksoi se fitorja e të gjitha fitoreve është anëtarësimi në NATO, që për kreun e AAK-së sjell zhvillim dhe shuan vatra të rrezikshme, transmeton Klankosova.tv.

“UNMIK-u nuk ekziston më, zgjidhja e të gjitha çështjeve dhe problemeve është anëtarësimi në NATO. Një vend në NATO shtrin juridiksionin e vet dhe shuan vatrat e rreziqeve qofshin të brendshme e nacionaliste, zhduken. Për ne anëtarësimi në NATO është fitorja e të gjitha fitoreve. Në 100 e para të qeverisë së ardhshme nëse qeveris, do të bëhet hapja zyrtare e Planit Aksional për Anëtarësim në NATO, ndërsa gjatë mandatit do të përmbyll anëtarësimin në NATO”, tha Haradinaj.

Anëtarësimi në NATO, për Haradinajn forcon shtetin ligjor dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Luftën kryesore e kemi që duhet të mbajmë njerëz në Kosovë, nuk duhet të kursejmë pagat. Duke kursyer pagat humbim kualitetin e atyre që shërbejnë në shtet. Kualitet i dobët e i tyre shtet i dobët. Ushtari, polici, mjeku, mësuesi. Zhvillimi ekonomik i Kosovës do të ndodhë me kthesën e NATO-s. Shteti ligjor forcohet me anëtarësim në NATO”.

Ai tha se vendi i tij tani duhet të përmbushë planin aksional të anëtarësimit.

“Kam arritur ta përmbyll opsionin tonë të anëtarësimit në NATO për të kaluar në planin aksional të anëtarësimit. Është një proces i pyetësorëve, detyrave e punëve. Unë mendoj që arritjet tona të dialogut dhe implementimi i obligimeve që dalin nga dialogu janë themel për hapjen e marrëdhënieve për anëtarësim të Kosovës, por duhet të përmbushim obligimet politike e ushtarake, të prodhojmë më shumë armë, planin ekonomik, infrastrukturën dhe resurset për interesa të NATO-s, t’i aktivizojmë”.

Sipas tij, Kosova duhet të shkojë me ShBA-në dhe BE-në pa e pritur Serbinë, sepse kjo e fundit sipas tij po flirton me Rusinë e Kinën.

Share This