Haradinaj akuzon Kurtin: Popullit i shet propagandë, Serbisë i bën koncesione
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për lejimin e mallrave të Serbisë.
Haradinaj ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po bën koncesione në dëm të Kosovës.
Sipas tij, nëpërmjet vendimit për hapjes e pikës kufitare në Merdare për mallrat e Serbisë, “tentoi ta mbulojë me 20 euro për pensionistët”.
“Dje, në mënyrë klandestine kryeministri Kurti hoqi masat ndaj mallrave të Serbisë. Kjo ishte përsëritje e vendimit për heqjen e tarifës 100 për qind që pata vendosur më 2018. Ky është koncesioni i radhës i Albin Kurtit, i cili popullit i shet propagandë e Serbisë i bën koncesione. Ai bën koncesione pasi paraprakisht i bën dëme të rënda Kosovës e pas koncesionit dëmi i mbetet Kosovës. Ai bëri koncesione të vonshme edhe për anëtarësim në Këshill të Evropës, por Kosova mori vetëm dëmin por jo anëtarësimin. Koncesionin e djeshëm tentoi ta mbulojë me 20 euro lëmoshë për pensionistët, por si shoqëri e kemi obligim ta ballafaqojmë me propagandën e tij dhe dëmet që po i bën Kosovës. E thënë edhe më herët, Kurti nuk i shërben Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.