Hapet “Dritarja për Investime të Diasporës”, Kurti jep detaje
Sot është hapur “Dritarja për Investime të Diasporës”.
Kryeministri Albin Kurt përmes një postimi në rrjetet sociale ka dhënë detaje për këtë ngjarje.
“Tashmë kemi shumë raste ku bashkatdhetarët tanë po kthehen në Kosovë për të investuar kapitalin e tyre. Ka edhe shumë të tjerë që janë shprehur se investimi në Kosovë është pjesë e planeve tyre për të ardhmen e afërt. Me sot, e hapëm “Dritaren për Investime të Diasporës”. Për të fillimisht, bashkë me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, kemi dhënë zotimin për të kontribuar deri në 10 milionë euro për garantimin e huave për bizneset me pronarë nga mërgata që duan të kthehen e të investojnë në Kosovë, kurse përmes saj parashihen që të garantohen deri në 100 milionë euro kredi. Ejani! Ju mirëpresim, ju ndihmojmë, ju mbështesim”, ka shkruar Kurti.