
Hamza: Votuesit abstenuan, kërkojnë stabilitet politik
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, një ditë pas procesit zgjedhor në Kosovë ka falënderuar votuesit e këtij subjekti politik. Ai ka thënë se votuesit kanë abstenuar sepse kërkojnë stabilitet institucional.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës rezultati është ky që është. Sigurisht se kemi pritur më shumë, kemi mund më shumë. Nëse i referohemi vendeve, Kuvendit të Republikës së Kosovës, unë pres që numri i deputetëve të jetë pak më i madh sesa që ka qenë në mandatin paraprak. Megjithatë, ne po presim përfundimin e procesit zgjedhor, numërimin e të gjitha votave dhe të shohim se ku po dalim si parti politike. Po pres që aktualisht janë 24 deputetë për Partinë Demokratike të Kosovës, megjithatë e presim fundin e procesit zgjedhor”, ka thënë ai.
Ai tha se abstenimi i votuesve është mesazh për të gjithë liderët politik në vend.
“Unë e kam kuptuar këtë mesazh, e kam lexuar drejt që njerëzit kanë nevojë për stabilitet politik, kanë nevojë për stabilitet institucional, kanë nevojë që qeveria e vendit të merret me problemet e tyre, me përmirësimin e jetës dhe standardit të jetesës të qytetarëve, dhe jo vazhdimisht prodhohen situata, drama, kriza dhe çështje të tilla të ngjashme”, tha Hamza.
Ai tha se asnjëherë gjatë rrugëtimit të tij politik nuk ka vendosur vija të kuqe dhe kjo qëndron ende.
“Jemi gjithmonë të hapur për biseda, e kam dhënë preferencën time se më e shëndetshme për vendin është krijimi i qeverisë prej partive që kemi qenë në opozitë, por kjo varet prej numrave, por megjithatë nuk kam qenë përjashtues”, është shprehur Hamza.
Hamza ka cilësuar se zgjedhjet nuk janë organizuar në klimë të barabartë ndërmjet partive politike.
“Zgjedhjet kanë qenë të pabarabarta për shkak se është përdorur paraja publike, e cila sigurisht ka ndikuar edhe në rezultat. Dhe për këtë qëllim, unë kam thënë që zgjedhjet mund të jenë të lira, por nuk janë të ndershme. Përdorimi i parasë publike ka bërë efektin e vet, gjithashtu edhe resurset shtetërore të përdorura në proces, në proces zgjedhor. Me rëndësi është që të kemi konstituim të Kuvendit sa më shpejt, formim të qeverisë, zgjedhje të presidentit dhe mos të ketë vakum institucional për shkak se interesi i vendit është përtej interesit dhe mbi interesin e secilit subjekt politik”, tha ai, raporton rtk.
I pari i PDK-së tha se këtë subjekt politik e presin zgjedhjet e brendshme, të cilat siç tha ai, proceduralisht veçse kanë nisur.
“Ky proces do të vazhdojë dhe do të përfundojë në mënyrë të përgatitur, në mënyrë serioze dhe do të mbyllet ky cikël zgjedhor i brendshëm. Unë si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që jam zgjedhur nga Kuvendi para disa muajve, sigurisht se jam në mandat të plotë për katër vjet, po megjithatë në këtë proces zgjedhor gara do të jetë e hapur për të gjitha nivelet, duke përfshirë prej nëndegëve, degëve, për Kuvendin, për Këshillin Drejtues dhe për kryetarin. Domethënë edhe pozita e kryetarit do të jetë një garë e hapur dhe do të garojnë ata që mendojnë që duhet me qenë pjesë e garës për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Hamza.

