Hamilton optimist pas testimeve të para me Ferrarin në Barcelonë
Pas xhirove të para testuese të sezonit SF-26 në pistën e Barcelonës, Lewis Hamilton ka ndarë përshtypjet e tij për njëvendëshen e re të Ferrarit.
Piloti britanik është shprehur optimist për performancën fillestare të makinës, një qëndrim i ndarë edhe nga shoku i skuadrës, Charles Leclerc.
Pas daljes demonstrative në Fiorano javën e kaluar, Ferrari zhvilloi kilometrat e parë zyrtarë para sezonit në pistën e Montmelòs, ku kushtet atmosferike ndikuan pjesërisht në programin e testimeve.
“Ishte një ditë mjaft impenjative, sidomos sepse paradite filloi shiu”, ka deklaruar Hamilton për faqen zyrtare të Formula 1.
“Të kuptonim mënyrën e funksionimit të gomave ishte shumë produktive. Së bashku me Leclerc kemi realizuar rreth 120 xhiro. Duke pasur parasysh kushtet e lagështa dhe ndërprerjen me flamur të kuq pas daljes nga pista të Hadjar, mendoj se ishte një rezultat solid. Jam krenar për të gjithë ekipin që e ka sjellë makinën në këtë nivel”.
Shtatë herë kampioni i botës ka theksuar se skuadra ka mbledhur të dhëna të rëndësishme teknike, ndonëse puna mbetet ende e madhe.
“Kemi marrë shumë informacion nga makina. Duhet të vazhdojmë në këtë drejtim, sepse ka ende shumë për të bërë, por si ditë e parë ishte pozitive. Mund të kishte shkuar edhe më keq. Nuk pati probleme serioze, vetëm disa detaje të vogla që duhen përmirësuar”, ka shtuar Hamilton.
Ai ka nënvizuar gjithashtu se mezi pret testimet në kushte të thata, për të kuptuar më mirë menaxhimin e energjisë gjatë xhiros dhe funksionimin e sistemit të baterisë.
Ferrari pritet të vazhdojë programin e testimeve në ditët në vijim, në përgatitje për nisjen e sezonit të ri të Formula 1.


