Gliha: Do të provojmë të bëjmë mirë kundër Zvicrës
Trajneri i Kosovës, Primoz Gliha ka thënë se skuadra e drejtuar nga ai është përgatitur dhe do të mundohet të bëjë mirë në ndeshje me Zvicrën.
Ai ka folur në një konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes, e cila është e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.
“Kemi punuar mirë gjatë këtyre pesë ditëve dhe jemi munduar të gjejmë zgjidhjet e duhura për t’u përballur me kundërshtarin. Kemi pasur disa probleme, por kemi punuar për të gjetur zgjidhjet e duhura. Ne jemi profesionistë dhe jemi të mësuar të punojmë edhe në situata të tilla me presion. Pavarësisht presionit, ne kemi punuar mirë dhe do të provojmë të bëjmë mirë. Në futboll duhet të mendosh gjithmonë pozitivisht dhe të hysh në fushë për rezultate pozitive”, është shprehur slloveni.
Ai ka folur edhe për futbollistët e ftuar për herë të parë.
“Kemi djem të rinj, shumë të talentuar, që kanë punuar shumë mirë, por ndaj Zvicrës edhe presioni do të jetë shumë i madh. Duam t’i përfshijmë gradualisht në ekip, që shumë shpejt të shndërrohen në pika të rëndësishme”.
Pas katër ndeshjeve Kosova gjendet e parafundit në Grupin I, me vetëm tri pikë. Grupin e kryeson pikërisht Zvicra, e cila ka arritur të grumbullojë dhjetë pikë.