Gjermania, kufizime të reja për refugjatët. Bundestagu miraton ndalimin e ribashkimit familjar për imigrantët pa status të plotë

Gjermania, kufizime të reja për refugjatët. Bundestagu miraton ndalimin e ribashkimit familjar për imigrantët pa status të plotë

Dhoma e ulët e Bundestagut në Gjermani miratoi një projektligj të premten për ta pezulluar bashkimin familjar për emigrantët që nuk i plotësojnë kushtet për statusin e plotë të refugjatit, duke përmbushur një premtim zgjedhor të konservatorëve për të kufizuar emigrimin dhe për të lehtësuar trysninë ndaj sistemit të integrimit.

Migrimi ishte çështje kyçe në zgjedhjet federale të shkurtit, në të cilat partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, siguroi vendin e dytë historik me platformën e saj kundër emigrantëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gjermania aktualisht është mikpritëse e rreth 388 mijë refugjatëve me “status të mbrojtjes me shtesa”, formë e mbrojtjes ndërkombëtare, që u jepet njerëzve që nuk i plotësojnë kushtet për refugjatë, por prapëseprapë ballafaqohen me rrezik të vërtetë për lëndim serioz nëse kthehen në vendin e prejardhjes. Shumica e njerëzve që e kanë këtë status në Gjermani janë sirianë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt, tha se projektligji i ri ishte i nevojshëm për shkak se kapaciteti i integrimit në Gjermani, sidomos në arsim, kujdes ndaj fëmijëve dhe strehim, kishte arritur në kufirin e vet.

“Emigrimi duhet të ketë kufij dhe ne do ta pasqyrojmë këtë politikisht,” tha ai në Bundestag gjatë debateve të tensionuara para votimit të së premtes.

444 ligjvënës votuan pro legjislacionit të ri, ndërsa vetëm 135 e kundërshtuan. Ministri Dobrindt tha se pezullimi i bashkimit familjar do të ndihmojë në parandalimin e emigrimit ilegal përmes pengimit të rrjeteve të trafikimit, të cilat shpesh mbështeten te dërgimi i një anëtari të familjes para se t’i sjellin të tjerët më vonë.

Share This