
Gjermania kërkon të forcojë rolin e saj në mbrojtjen evropiane përmes postit kyç në NATO
Berlini po intensifikon përpjekjet për të siguruar zgjedhjen e Gjeneralit ‘Carsten Breuer’ si kryetarin e ardhshëm të Komitetit Ushtarak të NATO-s, me vendimin që pritet të merret më ‘19 shtator në Danimarkë’.
Ky post është një nga më të rëndësishmit në strukturën e aleancës, pasi shërben si urë lidhëse mes niveleve politike dhe ushtarake, duke këshilluar Këshillin e Atlantikut të Veriut dhe Grupin e Planifikimit Bërthamor.
Aktualisht, kryesinë e mban Admirali italian ‘Giuseppe Cavo Dragone’, mandati i të cilit përfundon në fillim të vitit 2028, ndërsa pasardhësi i tij do të marrë detyrën në janar të atij viti.
Gjermania ka shpallur kandidaturën e Breuer që në shkurt 2026, duke e prezantuar relativisht herët kandidatin e saj. Berlini ka ushtruar presion mbi aleatët evropianë për ta mbështetur, ndërsa ka siguruar mbështetje të rëndësishme nga ‘SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca’.
Ekspertja e sigurisë Aylin Matlé nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP) thekson se zgjedhja e Breuer do të kishte peshë të madhe për Evropën, sidomos për Gjermaninë, e cila po synon të rrisë rolin e saj mbrojtës brenda NATO-s.
Në samitin e NATO-s në Ankara, Berlini ka bërë të qartë se është gati të marrë përsipër një pjesë të madhe të përgjegjësive për zëvendësimin e kapaciteteve ushtarake që SHBA-të planifikojnë të zhvendosin larg Evropës.
Kjo strategji e gjerë për të rritur rolin e Gjermanisë në mbrojtjen evropiane po ushqen gjithashtu fushatën e saj për postin në NATO.
Nga ana tjetër, ‘Kanadaja’ ka propozuar gjeneralin ‘Jennie Carignan’ në maj 2026. Fushata e saj po zhvillohet në një mjedis politik më të ndërlikuar, për shkak të marrëdhënieve të tendosura me Uashingtonin.
Megjithatë, Carignan ka qenë më aktive në komunikimin me aleatët, duke dërguar disa letra për të mbështetur kandidaturën e saj, ndërsa Breuer ka dërguar vetëm një.
Një zyrtar i NATO-s ka vënë në dukje se Carignan ka paraqitur një vizion më të gjerë për organizimin ushtarak të aleancës, ndërsa Breuer është fokusuar kryesisht tek Ukraina. Por tensionet politike midis Kanadasë dhe SHBA-së mund të funksionojnë në favor të kandidatit gjerman.
Gjermania ka paralajmëruar rritje të shpenzimeve të mbrojtjes me një të tretën në vitin 2027, duke u pozicionuar si një ofrues kryesor i sigurisë evropiane.
Ndërkohë, NATO vlerëson se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në Evropë dhe Kanada pritet të ngadalësohet në vitin 2026.
Me vendimin që pritet më 19 shtator, zgjedhja e kryetarit të ri të Komitetit Ushtarak të NATO-s do të shënojë një moment të rëndësishëm për balancat e sigurisë brenda aleancës.
Pavarësisht fushatës aktive të Kanadasë, mbështetja e fuqishme që Gjermania ka siguruar nga aleatët kryesorë e vendos Gjeneralin Breuer në një pozicion politikisht më të favorshëm. /rtsh/

