GJERMANI – Masa të reja kundër dronëve dhe luftës hibride ruse

GJERMANI – Masa të reja kundër dronëve dhe luftës hibride ruse

Gjermania po planifikon të forcojë ndjeshëm mbrojtjen e vendit ndaj sulmeve hibride ruse, pas një incidenti të fundit me një dron të ngarkuar me eksploziv pranë aeroportit të Lejpcigut.

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, i paraqiti planet në një intervistë për edicionin e sot të tabloidit “Bild”.

Ai tha se sulmet hibride ruse tashmë janë bërë pjesë e realitetit të përditshëm të Gjermanisë.

“Sulmet hibride të Rusisë, që përfshijnë dronë të ngarkuar me eksplozivë që synojnë aeroportet, agjentë që veprojnë në qytetet tona, sulme kibernetike ndaj rrjeteve tona dhe sabotime të infrastrukturës sonë, janë një realitet i përditshëm”, deklaroi Dobrindt.

Ministri parashikoi se këto sulme mund të shtohen në të ardhmen, por theksoi se Gjermania ka mundësi të mbrohet dhe të përballojë kërcënimet e reja të sigurisë.

Sipas gazetës, e cila citon informacione nga Ministria e Brendshme, hapësira ajrore mbi qendrat kritike të transportit, aeroportet, stacionet hekurudhore dhe distriktin qeveritar të Berlinit do të mbrohet plotësisht nga dronët përmes njësive të reja që mund të dislokohen me shpejtësi.

Njësitë do të kenë për detyrë të zbulojnë dhe neutralizojnë dronët që mund të përbëjnë kërcënim për objektet strategjike.

Masa synon veçanërisht të parandalojë përdorimin e dronëve për sulme, spiunazh apo sabotazh.

Plani parashikon gjithashtu që kompanitë që menaxhojnë infrastrukturë kritike, përfshirë ndërmarrjet e ujësjellësit, furnizuesit e energjisë elektrike dhe kompanitë e industrisë së mbrojtjes, të marrin autoritet ligjor për t’u mbrojtur në mënyrë aktive nga dronët.

Një tjetër komponent i rëndësishëm është krijimi i një mburoje kombëtare të sigurisë kibernetike, të quajtur “Cyberdome”.

Sistemi do të përbëhet nga një rrjet i dendur sensorësh dixhitalë, të projektuar për të zbuluar dhe ndërprerë përpjekjet për sulme kibernetike ndaj rrjeteve gjermane.

Masat vijnë pas  incidentit në aeroportin Lejpcig/Halle, ku në gusht një dron i ngarkuar me eksploziv u kap pranë avionëve transportues ukrainas.

Ngjarja ka rritur shqetësimet në Gjermani për mundësinë e sulmeve me dronë kundër infrastrukturës kritike dhe objekteve të lidhura me mbështetjen ndaj Ukrainës.

Planet e reja tregojnë se Berlini po e trajton gjithnjë e më seriozisht kërcënimin e të ashtuquajturës “luftë hibride”, ku sulmet kibernetike, sabotazhi, spiunazhi dhe përdorimi i dronëve mund të kombinohen për të goditur infrastrukturën dhe sigurinë e një vendi pa një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake. /atsh/

Share This