Gjeneral Gëzim Hazrolli bashkohet LDK-së, Abdixhiku: Një mesazh i qartë për shtetin dhe stabilitetin

Gjeneral Gëzim Hazrolli bashkohet LDK-së, Abdixhiku: Një mesazh i qartë për shtetin dhe stabilitetin

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se Gjeneral Major Gëzim Hazrolli, një nga figurat më të shquara të mbrojtjes kombëtare, i është bashkuar radhëve të saj.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përshëndetur ardhjen e Hazrollit duke theksuar se ai përçon një mesazh të qartë: njerëzit e shtetit dhe të përgjegjësisë po kthehen në politikë për të forcuar rendin, stabilitetin dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

Gjeneral Hazrolli ka mbi tre dekada shërbim në uniformë. Gjatë luftës ishte Komandant i Brigadës 123 të UÇK-së, ndërsa pas çlirimit ka luajtur rol kyç në ngritjen dhe modernizimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai ka drejtuar procese strategjike në FSK dhe Ministrinë e Mbrojtjes, duke ndihmuar në profesionalizimin e trupës dhe ngritjen e kapaciteteve luftarake.

Hazrolli është formuar në institucione strategjike ndërkombëtare si Royal College of Defence Studies në Londër, Marshall Center në Garmisch dhe programet ekzekutive në Monterey, California. Për shërbimin e tij, ai është dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake, Medaljen për Shërbime të Shquara dhe Medaljen e Karrierës.

Abdixhiku theksoi se ardhja e Hazrollit në LDK është një hap drejt institucioneve të përgatitura dhe drejtimit të qetë dhe të matur, duke shtuar se:

“Gjeneral Hazrolli i bashkohet LDK-së sepse Kosova ka nevojë për shtet, jo spektakël; për institucione të përgatitura, jo improvizim; për drejtim të sigurt, jo aventurë politike.”

Kjo lëvizje konsiderohet si një shtysë për LDK-në në rrugën e saj drejt një Kosove më të sigurt, më të fortë dhe më evropiane.

Share This