
Gjashtë të vrarë në Kiev, përfshirë fëmijë, pas sulmeve ruse
Dronë dhe raketa ruse goditën kryeqytetin ukrainas dhe qytete të tjera, duke vrarë gjashtë persona në rajonin e Kievit , mes tyre një foshnjë gjashtë muajshe, një vajzë 12-vjeçare dhe një grua ,si dhe duke dëmtuar objekte kyçe energjetike dhe disa pallate shumëkatëshe, sipas “The Guardian”.
Sulmet zgjatën pothuajse të gjithë natën e djeshme deri afër mëngjesit sç sot[m, ndërsa Kievi u godit nga të paktën katër raketa balistike. Një seri shpërthimesh të fuqishme u dëgjuan në të gjithë qytetin.
Sulmi i fundit ndodhi pasi u njoftua se Ukraina kishte kryer një sulm të madh ndaj një fabrike të kimikateve në Bryansk, në jugperëndim të Rusisë, me raketa “Storm Shadow” të furnizuara nga Britania dhe Franca. Dronë ukrainas goditën gjithashtu rajonin Mordovia në Rusi.
Shpërthime u njoftuan edhe në Zaporizhia, Poltava dhe Dnipro, ndërsa alarmet ajrore dhe goditjet vazhduan deri në mëngjes.
Shërbimet e emergjencës shpëtuan 10 persona pasi mbetjet e një droni shkaktuan zjarr në katin e gjashtë të një pallati 16-katësh. Po ashtu, shpërthimet thyen dritaret e një institucioni mjekësor dhe mbetje të tjera u gjetën në një ndërtesë banimi, njoftoi kryebashkiaku Vitali Kliçko në Telegram.
Në distriktin Darnytskyi, mbetjet e një droni goditën një pallat 17-katësh duke shkaktuar zjarr në pesë kate.
Në distriktin Desnianskyi, 20 persona u shpëtuan pasi fasada e një ndërtese 10-katëshe u dëmtua dhe një tub gazi mori flakë.
Në rajonin lindor të Poltavës, guvernatori Volodymyr Kohut raportoi dëmtime në objektet e naftës dhe gazit, ndërsa qyteti i Dnipros njoftoi sulme të rënda. Një pallat banimi në Zaporizhia u dëmtua gjithashtu gjatë natës, ku të paktën 13 civilë u plagosën.
Rusia ka rritur ndjeshëm numrin dhe intensitetin e sulmeve ndaj sistemit energjetik ukrainas javët e fundit, duke vënë në shënjestër termocentralet dhe objektet e gazit. /atsh/


