Gërvalla: Problemi i Vuçiqit s’është asociacioni por ekzistenca jonë
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka problemin me asociacionin, porse ato e shqetëson vetë ekzistenca e Kosovës.
Gërvalla duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se gjitha pretendimet e Serbisë kinse për shkelje të të drejtave të minoriteteve janë gënjeshtra të kulluara.
“Ta sqarojmë njëherë se nuk ka asnjë vend në botë, që quhet Kosovë e Metohi. Ka Kosovë, Kosova apo Republika e Kosovës…Të mos besohet asnjë nga gënjeshtrat se kinse qytetarët e Kosovës nuk kanë qasje në shëndetësi, arsim dhe llogari bankare. Realiteti është i qartë. Përfundimisht qytetarët po marrin frymë lirshëm dhe pa frikë nga bandat kriminale…Vuçiqi e Putini s’janë dorëzua. Ata kanë interes të shkatërrojnë Republikën e pavarur të Kosovës edhe me forcë. Askush s’mund të mashtrohet. Është dëshmuar tashmë e do ta provojnë prapë”, ka thënë Gërvalla.
Ajo i ka quajtur si kryeministrin serb Millosh Vuçeqviq, zëvendëskryeministrin Aleksandar Vulin, antiperëndimorë dhe prorusë.
“Mos i besoni këta njerëz të rrezikshëm. Asnjë fjalë. Vuçiqi po përgatitet, është i gatshëm për më shumë. Ka murale gjigante nëpër Serbi që thonë se ushtria serbe do të kthehet në Kosovë. Murale të tilla në një vend të tillë autokratik, s’janë rastësi. Përditë e më shumë ekspertë paralajmërojnë se Serbia i ngjan Serbisë fashite të viteve ’90…Problemi i Vuçiqit s’ka të bëjë me Asociacionin, por me vetë ekzistencën tonë. Për të Asociacioni nuk është vegël për të lehtësuar jetën e qytetarëve, është opsion për ta copëtuar një vend të territorit tonë”, tha Gërvalla, shkruan ballkani.info.
Para Gërvallës në Këshill të Sigurimit foli shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, e cila e paraqiti raportin gjashtëmujor. Ajo tha se situata në veri vazhdon të jetë e brishtë.
Ziadeh tha se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri “reduktuan mundësinë e komuniteteve pakicë, mbi të gjitha serbëve, për të pasur qasje në nevojat elementare, përfshirë shëndetësi e arsim”.
Paralajmëroi edhe se për rrezikun që paraqet hapja e paralajmëruar e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e veturave.
Ziadeh ka kërkuar po ashtu një hetim të plotë të sulmit terrorist në Banjskë më 23 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Ajo e ka quajtur atë si “të papranueshëm dhe një incident të rëndë sigurie”.
E ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka kërkuar veprim “të shpejtë nga Këshilli i Sigurimit”.
“Kërkoj veprimin tuaj të shpejtë dhe të vendoset”, tha Gjuriq.