Gërvalla në Cyrih: Mësimi i gjuhës shqipe te gjeneratat e reja të mërgatës, detyrim kombëtar
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se në Cyrih të Zvicrës është takuar me përfaqësues të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, ku kanë folur për sfidat e të mësuarit të gjuhës shqipe për diasporën.
Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se mësimi i gjuhës shqipe te gjeneratat e reja të mërgatës, përtej përgjegjësisë institucionale, është një detyrim kombëtar që kërkon angazhim të përbashkët dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional.
“Ky proces është i domosdoshëm për të ruajtur identitetin kombëtar dhe për të siguruar që trashëgimia jonë kulturore dhe gjuhësore të përcillet tek brezat e ardhshëm në mërgatë. Përmes mësimit të gjuhës amtare, të rinjtë jo vetëm që ruajnë një pjesë thelbësore të identitetit tonë, por ndërtojnë lidhje më të forta me Kosovën, duke marrë pjesë edhe në programet që ofron MPJD për të rinjtë e diasporës, përfshirë diplomacinë qytetare ku profesionistët e ri vijojnë një program prej 10 muajsh në Kosovë, kontribuojnë në institucionet e vendit, sjellin përvojat e tyre nga më të ndryshmet dhe fuqizojnë lidhjen me Kosovën”.
“Në takimin e zhvilluar në shtëpinë e Kosovës në Cyrih, me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, me bashkëkryetar Dr. Vaxhid Sejdiu, mësuesen në Kantonin e Bernit, Mirsime Muja, dhe me mësuesen në Kantonin e Zug-ut, Minire Azemi, diskutuam për sfidat dhe angazhimet e përbashkëta për të garantuar që çdo fëmijë shqiptar të ketë mundësinë të mësojë gjuhën amtare”, ka thënë Gërvalla.