Gazë, të paktën 11 palestinezë të vrarë në operacionet izraelite në Bregun Perëndimor
Të paktën 11 palestinezë u vranë dje gjatë operacioneve ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor, tha Ministria e Shëndetësisë palestineze.
“Katër persona, përfshirë një 14-vjeçar dhe dy 19-vjeçarë u vranë në Akaba – ndërsa shtatë persona të tjerë u plagosën”, tha Ministria e Shëndetësisë në Ramallah.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar rreth këtij incidenti.
Por, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) njoftuan se dy sulme të veçanta ajrore ishin kryer në zonën e Jeninit.
“Celula të armatosura terroriste u goditën”, tha ushtria izraelite.
“Të paktën pesë persona u vranë në sulmet ajrore në Jenin”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Ramallah.
Sipas ministrisë, dy palestinezë u vranë gjithashtu dhe tre të tjerë u plagosën rëndë në një incident të tjetër pranë Jeninit.
Jenini konsiderohet një bastion i palestinezëve militantë.
Situata në Bregun Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit në Gazë – pas sulmit të Hamasit në Izrael, më 7 tetor të vitit të kaluar.
“Që atëherë, mbi 580 palestinezë janë vrarë në operacionet ushtarake izraelite, konfrontimet ose sulmet e tyre”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Bregun Perëndimor.
Për më tepër, dhuna nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve është përshkallëzuar gjatë kësaj periudhe.
Izraeli kapi dhe pushtoi Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor gjatë “Luftës Gjashtë Ditore” në 1967.
Edhe pse Izraeli u tërhoq nga Rripi i Gazës në vitin 2005, ai vazhdon të kontrollojë kufijtë tokësorë, ajrorë dhe detarë.
Palestinezët i pretendojnë këto zona si territoret e tyre për krijimin e shtetit. /rtsh/