FVK vendos për rritje 100% të shpërblimeve për kampionët
Bordi i FVK-së në mbledhjen e fundit të mbajtur më 30 gusht 2023, vendosi për rritjen e shumës së shpërblimit për ekipet kampione në Superligën A të dyja gjinive.
Rritja është bërë për 100% në raport me shumat e deritashme, sipas së cilës kampioni i edicionit 2023/24 do të marrë 5000€, kurse nënkampioni 2000€.
Deri tash kampioni ka fituar 2500€, kurse nënkampioni 1000€ dhe në këtë formë FVK synon ta fillojë një trend të vazhdueshëm të rritjes nga viti në vit, për të motivuar ekipet e volejbollit dhe në shërbim të komunitetit të volejbollit.
Poashtu për herë të parë, në listë të shpërblimeve do të futen edhe kampionët e grupmoshave.
Sipas vendimit të bordit të FVK-së, kampionët e edicionit 2023/2024 U18 (m & f), do të shpërblehen nga FVK-ja në shumë prej 900€, kurse nënkampionët do të marrin 400€.
Superliga A (m & f) do të fillojë garat e edicionit 2023/24 më 30 shtator-1 tetor 2023, kurse Superliga B dhe Liga e Parë në të dyja konkurrencat, nis garat më 7/8 tetor 2023.