Fusha e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ i nënshtrohet procesit të rikuperimit 25 ditor
Presidenti Agim Ademi, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan sot stadiumin “Fadil Vokrri” për të parë nga afër progresin e punimeve të rikuperimit të fushës. Ata ishin të shoqëruar nga eksperti i UEFA-s për fushat e futbollit, Tugrul Hocaoglu, i cili ka qenë përgjegjës edhe për stadiumet që kanë pritur finalet e Ligës së Kampionëve.
Gjatë vizitës, Hocaoglu shpjegoi se bari natyral i fushës është aktualisht në fazën e rritjes dhe procesi kërkon kohë për t’u zhvilluar plotësisht. “Kushtet e motit janë në favor të këtij procesi dhe do të punohet intensivisht për një muaj të plotë. Gjatë kësaj kohe, fusha do të mbetet e mbyllur për çdo aktivitet, derisa të rikuperohet plotësisht”, tha Hocaoglu.
Ai vuri theksin te përkushtimi i ekipit të mirëmbajtjes, i cili është i gatshëm të punojë pa ndalur gjatë gjithë kësaj periudhe, me qëllim që fusha të jetë në gjendje optimale deri më 15 tetor, kur Kosova zhvillon ndeshjen e saj të radhës.
“Të gjithë e kemi përjetuar një periudhë shumë sfiduese me mot tepër të nxehtë, mbi 42 gradë Celsius, që ka ndikuar negativisht në rritjen e barit. Megjithatë, tani kushtet janë ideale për rritjen e tij për sezonin e ftohtë, posaçërisht për llojin e barit Gramina, i cili është mbjellë në këtë fushë. Kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe kemi mbjellë fara shtesë për të siguruar një fushë të qëndrueshme dhe të pranueshme për ndeshjet e ardhshme”, theksoi Hocaoglu, duke shtuar se ekipi po bën gjithçka për të rikuperuar sa më shpejt fushën.
Ndërkaq, Bulent Koprulu, përfaqësues i kompanisë që ka kryer punimet në fushë, sqaroi se periudha e rikuperimit do të zgjasë 25 ditë. “Gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë as ndeshje, as seanca stërvitore, për të mos dëmtuar barin. Çdo ndërhyrje në këtë fazë do të kërkonte më shumë kohë për rikuperim, ndaj është vendosur një pushim deri sa bari të jetë gati dhe pastaj do të vazhdohet me orarin normal të aktiviteteve”, tha ai.