FSK-ja realizon Ditën e Vizitorëve të Shquar të ushtrimit “Defender Europe 25”

FSK-ja realizon Ditën e Vizitorëve të Shquar të ushtrimit “Defender Europe 25”

Në prani të udhëheqësve më të lartë shtetërorë, përfaqësuesve diplomatik dhe udhëheqës të lartë ushtarakë ndërkombëtarë, Forca e Sigurisë së Kosovës realizoi Ditën e Vizitorëve të Shquar të ushtrimit fushor shumëkombësh “Defender Europe 25” (DE/IR25).

Fillimisht ata u pritën nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në Aeroportin e Gjakovës dhe së bashku vizituan Post-Komandën Taktike të Divizionit të 28-të të Ushtrisë Amerikane.

Ata u njohën nga afër me zhvillimet e aktiviteteve prej komandës së ushtrimit në rajonin e Ballkani Perëndimor, përkatësisht të forcave të angazhuara në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Bullgari, Mal të Zi, Greqi dhe ato në Kosovë.

Gjatë vizitës në Kontrollin e Lartë të Ushtrimit, personalitetet e larta u njohën nga afër me rolin e rëndësishëm dhe kontributin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si nikoqir në kuadër të këtij ushtrimi, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm me Divizionin e 28-të të Ushtrisë Amerikane. Përveç realizimit të aktiviteteve sipas skenarit të ushtrimit, trupat tona kanë ofruar mbështetje reale dhe logjistike për të gjitha trupat e angazhuara në vendin tonë.

Me një profesionalizëm të lartë, Komanda e Forcës Tokësore, dhe njësitë tjera të angazhuara, demonstruan nivel të lartë profesional dhe të disiplinës në ekzekutimin e disa prej aktiviteteve të parapara, në poligonin trajnues të Babaj Bokës.

Gjatë realizimit të demonstrimeve nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë të FSK-së dhe njësitë ndërkombëtare, ata shfaqën nivel të lartë të disiplinës gjatë ekzekutimin e operacioneve të përbashkëta me forcat aleate të angazhuara në këtë ushtrim duke dëshmuar ndërveprueshmëri të lartë.

UF Defender Europe 25, është seria e ushtrimeve të përbashkëta, që luan një rol strategjik në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit në duke përfshirë forcat nga vende të NATO-s dhe ato partnere.

Në përmbyllje, personalitetet e larta përgëzuan ushtarakët e FSK-së dhe ata ndërkombëtarë për përkushtimin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë këtij ushtrimi shumëkombësh.

Kësaj radhe Kosova pati një rol kyç pasi që mirëpriti Divizionin Komandues Amerikan të brigadave të shteteve tjera në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Ata vlerësuan se realizimi i UF “Defender Europe 25” në këtë nivel, është një mundësi e shkëlqyer në avancimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së në ndërveprueshmëri me aleatët dhe partnerët. Stërvitje të tilla përpos që rrisin bashkëpunimin me forcat mike ato mbi të gjitha rrisin gatishmërisë e forcave tona në përmbushje të misionit.

Share This