FSK dhe Ushtria gjermane realizojnë trajnim bazik për kërkim-shpëtim urban

FSK dhe Ushtria gjermane realizojnë trajnim bazik për kërkim-shpëtim urban

Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim është mbajtur Trajnimi Bazik për Kërkim-Shpëtim Urban, ku morën pjesë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Ushtrisë së Republikës Federale të Gjermanisë.

Sipas njoftimit zyrtar, trajnimi kishte për qëllim avancimin e kapaciteteve profesionale në fushën e kërkim-shpëtimit urban, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin ndërmjet FSK-së dhe Gjermanisë.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u angazhuan në zhvillimin e aftësive bazike për operacione të kërkim-shpëtimit urban, përfshirë teknikat e kërkimit, procedurat e shpëtimit, koordinimin në situata emergjente, punën ekipore dhe zbatimin e masave të sigurisë në skenarë të fatkeqësive urbane.

Në njoftim thuhet se pjesëmarrja e pjesëtarëve të Ushtrisë Gjermane ka ndikuar në shkëmbimin e përvojave profesionale, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe avancimin e standardeve të përbashkëta të trajnimit.

Ky aktivitet vlerësohet si një tjetër hap në thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ngritjen e gatishmërisë operative të FSK-së në menaxhimin e situatave emergjente.

Share This