
Formacioni i mundshëm/ Surprizë e Sylvinhos në treshen e sulmit, si pritet të rreshtohet Kombëtarja shqiptare në sfidën me Serbinë (FOTO)
Shqipëria luan përballë Serbisë duelin më të rëndësishëm të Grupit K, në Kualifikueset e Botërorit 2026.
Trajneri Sylvinho ka kryer dhe seancën e fundit stërvitore, teksa në konferencën për mediat, ai u shpreh se e ka gati formacionin që do të hedhë në fushë mbrëmjen e nesërme.
Siç mëson gazetari i Top Channel, Endi Tufa, rreshtimi pritet të jetë 4-3-3, me Strakoshën në portë, ndërsa në mbrojtje Gjimshiti dhe Ajeti, të cilët do të mbulohen nga krahët nga Hysaj e Mitaj.
Në mesfushë është treshja e përhershme me Ramadanin, Asllanin dhe Laçin, ndërsa në sulm pritet një ndryshim “rrënjësor”.
Krahët mund të mbulohen nga Broja dhe Arbër Hoxha, ndërsa maja e sulmit pritet t’i besohet Mirlind Dakut, duke lënë në stol treshen Bajrami-Asani-Manaj (ky i fundit është shfaqur me disa probleme shëndetësore në seancat e fundit stërvitore).
Gjithsesi, ashtu siç tha dhe Sylvinho, formacioni i tij titullar është gati dhe do ta publikojë nesër vetëm një orë përpara startit të ndeshjes.