
Foden reagon pas fyerjeve në derbin Man United-Man City
Mesfushori i Manchester Cityt, Phil Foden, ka reaguar pas fyerjeve që mori gjatë derbit të Manchesterit të dielën në mesditë.
Gjatë pjesës së parë të barazimit 0-0 në “Old Trafford”, një grup tifozësh të Manchester United u dëgjuan duke kënduar në kore ofenduese, e cila kishte në shënjestër mesfushorin anglez.
Kjo sjellje shkaktoi reagim të ashpër nga trajneri Pep Guardiola, i cili u shpreh se të gjithë ata që morën pjesë duhet të ndihen të turpëruar dhe se kanë treguar “mungesë klase”.
“Ne jemi shumë të ekspozuar. Njerëzit që janë në ekran në futbollin botëror, trajnerët, pronarët, dhe sidomos futbollistët,” u shpreh Guardiola.
“Sinqerisht, nuk e kuptoj mendësinë e atyre që përfshijnë nënën e Phil në këto sulme. Është mungesë integriteti dhe klase. Duhet të ndihen të turpëruar”, theksoi strategu spanjoll.
Ndërkaq, 24-vjeçari reagoi pas ndeshjes përmes një postimi në Instagram, duke dhënë një mesazh të qartë dhe të fortë: “Vazhdojmë përpara,” shkroi ai.
Foden ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë pesë asistime në 40 ndeshje këtë sezon të garave, një rënie e ndjeshme krahasuar me sezonin e kaluar, ku kontribuoi me 27 gola dhe 12 asistime.
Ky sezon konsiderohet një nga më të dobëtit për Manchester Cityn nën drejtimin e Guardiolës.