
Foda e Vojvoda kërkojnë fitore ndaj Armenisë
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, të enjten në konferencën për media, një ditë para miqësores me Armeninë, është shprehur optimist se të besuarit e tij, do të bëjnë paraqitje të mirë.
Dardanët dhe armenët do të përballen nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës.
Strategu gjerman i kombëtares sonë, thotë se synimi i Dardanëve në këto dy miqësore është fitorja. Foda mendon se Kosova është duke u përgatitur mirë për kualifikuese e Kupës së Botës 2026 që nisin në muajin shtator.
“Lojtarët e rinj janë ambientuar mirë në skuadër. Qëllimi kryesor i joni është që dy ndeshjet t’i fitojmë”, ka thënë Foda.
“Nuk dëshirojmë të eksperimentojmë. Jemi duke u përgatitur mirë për fazën kualifikuese të Botërorit ndaj Zvicrës dhe Suedisë”, theksoi Foda.
Ndërkaq, mbrojtësi Mërgim Vojvoda, ka thënë miqësoret kundër Armenisë dhe Ishujve Komore janë të rëndësishme për skuadrën tonë. Sipas tij, këto miqësore janë më shumë sesa vetëm statistika.
Vojvoda mendon se këto miqësore janë test i mirë për lojtarët e rinj.
“Çdo ndeshje për kombëtaren është e rëndësishme. Shpresojmë të fitojmë, të vazhdojmë me pozitivitet. Është rast i mirë për futbollistët e rinj ta tregojnë veten”, ka thënë Vojvoda.
Ndeshja Kosova-Armenia fillon në orën 20:45.