Finalja e Euro 2024: Anglia dhe Kane për të thyer “mallkimin”, Spanja për lavdinë
Festivali njëmujor i futbollit evropian do të mbyllet të dielën, në Olimpiastadion në Berlin, ku Spanja dhe Anglia do të luajnë finalen e “Euro 2024”.
Spanja, ka mahnitur në këtë evropian dhe vjen në përballjen finale si favorite. Një fakt ky me të cilin është e vështirë të argumentohet duke marrë parasysh se ata kanë fituar katër nga pesë ndeshjet kryesore të Euro 2024 dhe kanë krijuar një seri fitoresh prej tetë ndeshjesh, hera e fundit që ata arritën nëntë radhazi ishte në vitin 2012, një ecuri që përfshinte ngritjen e trofeut të Kampionatit Evropian.
Një përsëritje jo vetëm që do t’i jepte Spanjës titullin e katërt evropian, por do ta vendoste përpara Gjermanisë dhe do ta bënte atë kombin më të suksesshëm në historinë e evropianëve. Dhe me Luis de la Fuente, ata kanë gjetur njeriun e përsosur. Spanja ka edhe një rekord tjetër që nuk e ka arritur askush më parë, tre suksese radhazi në 2008 dhe 2012 ka fituar dy evropianë dhe në 2010 kampionatin botëror.
Ndërkohë që Anglia ka një mision më të vështirë. Duhet të rikthejë në vend një trofe në rang kombëtaresh që i mungon prej 58 vitesh, kur në 1966 fitoi të parin dhe të vetmin botëror. Por në Angli mund të kenë filluar të besojnë se edhe ata kanë gjetur njeriun e duhur. Gareth Southgate u bë trajneri i parë që udhëhoqi Tre Luanët në dy finale të mëdha, madje në dy evropianë radhazi.
Harry Kane, mund të mos ketë qenë në maksimumin e tij në këto finale, por goli nga pika e bardhë kundër Holandës e bëri atë golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në fazat e eliminimit të evropianëve.
Por kapiteni i Anglisë, duhet të thyejë edhe mallkimin e vet personal kur në moshëm 32 vjeçare nuk ka fituar ende asnjë trofe, përveç rekordeve personale të arritura.
E djemtë e Southgate do të duhet të bëjnë më të mirën e tyre për të zbutur spanjollët.