FFK mirëpret vendimin e UEFA-s ndaj Serbisë
Federata e Futbollit e Kosovës mirëpret vendimin e marrë nga UEFA për të ndëshkuar Federatën e Futbollit të Serbisë për thirrjet kundër Kosovës dhe sjelljet raciste gjatë ndeshjes së 12 tetorit ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës. Kjo masë e rreptë është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së parimeve sportive dhe të respektit në arenën ndërkombëtare.
Në emër të sportdashësve kosovarë, FFK thekson se një ambient sportiv duhet të jetë i lirë nga mesazhet provokuese, urrejtja dhe diskriminimi. Zyra jonë ligjore ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të raportuar këto shkelje pranë UEFA-s, dhe do të vazhdojmë të ndjekim të gjitha mjetet ligjore për ta adresuar çdo veprim josportiv dhe të dëmshëm që cënon Kosovën dhe vlerat e sportit.
FFK mbetet e përkushtuar për të mbrojtur lojtarët, tifozët dhe komunitetin e futbollit nga aktet e urrejtjes dhe provokimet që synojnë të minojnë frymën e “fair play”-it. Federata do të vazhdojë të monitorojë dhe të reagojë kundër të gjitha shkeljeve të normave dhe vlerave në futboll, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
Vendimi i UEFA-s kundër Serbisë është një mesazh i qartë që aktet e tilla të dënueshme nuk kanë vend në sport, dhe FFK mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për të kontribuuar në një futboll të pastër, të drejtë dhe të respektuar për të gjithë.