FC Ballkani: Po tentohet degradimi i punës dhe sakrificës sonë që po bëhet në klubet tona

FC Ballkani: Po tentohet degradimi i punës dhe sakrificës sonë që po bëhet në klubet tona

Kampioni i Kosovës, Ballkani ka reaguar lidhur deklaratat e disa opinionistëve mediatik, të cilët sipas klubit nga Suhareka pa asnjë bazë dhe pa profilizëm sportiv po e dëmtojnë punën e madhe që bëhet në klubet tona.

  • Ky është reagimi i FC Ballkanit:

FC Ballkani shpreh indinjatën e thellë të disa opinionistëve mediatikë, të cilët pa asnjë bazë e mbi të gjitha edhe pa profilizim profesional sportiv, mundohen ta përlyejnë punën e madhe që bëhet në klubet kosovare, ku investohen miliona euro.

Në disa emisione sportive po lejohet tentim degradimi i gjithë punës së madhe që ne kryejmë, sakrificës së jashtëzakonshme që bëjmë, vetëm e vetëm që ta shtyejmë përpara agjenden kombëtare të fuqizimit të progresit në futbollin tonë.

Federata e Futbollit të Kosovës është organizata më e lartë e këtij sporti në shtetin tonë, të gjitha garat ku bëjmë pjesë janë nën ombrellën e saj, andaj ne jemi të prirur ta respektojmë maksimalisht këtë organ dhe e mbështesim në çdo rrugëtim që ka të bëjë me interesin e futbollit nacional.

Megjithatë klubet kosovare, duke përfshi FC Ballkanin, investojnë para të bizneseve që e mbështesin sportin, në këtë rast futbollin.

Po e përsërisim, janë miliona euro çdo vit që investon FC Ballkani dhe qëllimi ynë është mëse fisnik. Ne jemi klub financiarisht i pavarur dhe me krenari investojmë paratë tona për të ardhmën e klubit, njëkohësisht të futbollit kombëtar.

Këtë e dëshmon më së miri fakti se duke u punuar maksimalisht, nxjerrim lojtarë që i shërbejnë Kombëtareve, ëndërr kjo e çdo sportisti.

Referuar edhe një letre të hapur të një gazetari i cili nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe kurrëfar ndikimi në këtë lëmi, synon të na mbajë ligjeratë e të na mësojë se si të veprojmë.

Ne i njohim të gjithë njerëzit e fushës, ne punojmë gjithmonë vetëm me profesionistë, prandaj kemi arritur që ta rrisim nivelin nga viti në vit, jo duke dëgjuar ata që nuk janë kompetentë.

Historia jonë e ka treguar se si me menaxhimin profesional, kemi shkuar dy herë radhazi në grupet e Konferencës Evropiane, derisa synojmë të ngritemi edhe më lartë. Kjo është dëshmia më e mirë e investimit korrekt dhe profesional.

Ju apelojmë të gjithëve, nëse nuk keni mundësi për ta ndihmuar sportin, atëherë të paktën mos e pengoni atë!

#FC Ballkani

Share This