Fabrizio Romano: Edon Zhegrova jashtë skuadrës së Juventusit, Al-Ittihad e fut në listën e transferimeve

Fabrizio Romano: Edon Zhegrova jashtë skuadrës së Juventusit, Al-Ittihad e fut në listën e transferimeve

Edon Zhegrova nuk është përfshirë në skuadrën e Juventusit për ndeshjen e sotme për shkak të problemeve fizike, por emri i yllit kosovar vazhdon të jetë një nga ata që duhet ndjekur me kujdes në ditët e fundit të merkatos.

Këtë e ka bërë të ditur eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, i cili raporton se për Zhegrovën ka shfaqur interes Al-Ittihad nga Arabia Saudite.

Sipas Romanos, klubi saudit është në kërkim të një zëvendësuesi për Moussa Diaby dhe Zhegrova është përfshirë në listën e kandidatëve të mundshëm.

Në të njëjtën listë ndodhet edhe reprezentuesi japonez Ritsu Dōan, si dhe dy futbollistë të tjerë që po shqyrtohen nga drejtuesit e Al-Ittihad.

“Edon Zhegrova nuk është në skuadrën e Juventusit sot për shkak të problemeve fizike, por mbetet një emër për t’u ndjekur në merkato Al-Ittihad e ka përfshirë atë, së bashku me Ritsu Dōan dhe dy lojtarë të tjerë, në listën për zëvendësimin e Moussa Diaby”, raporton Romano, shkruan Express.

Për momentin nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të arritur, por për interesim konkret dhe përfshirjen e Zhegrovës mes alternativave që Al-Ittihad po shqyrton.

Ditët e fundit të afatit kalimtar pritet të tregojnë nëse interesimi i klubit saudit do të shndërrohet në ofertë konkrete për reprezentuesin e Kosovës.

Share This