
Eliza Hoxha kritikon ashpër Përparim Ramën: “E ke bo bërllog kryetar”
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, para pak minutash ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke e akuzuar për keqmenaxhim dhe mungesë përkushtimi ndaj nevojave të qytetarëve të kryeqytetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha thekson se Prishtina po përballet me një situatë të rënduar në menaxhimin e mbeturinave dhe akuzon kryetarin Rama se nuk ka arritur të kuptojë rolin e tij si udhëheqës i qytetit.
“Përparim Rama një gjë të thjeshtë nuk e ka kuptuar në këto vite në qeverisje. Ai nuk është arkitekti i qytetit. Ai është kryetari prej të cilit pritet të menaxhojë qytetin, të mirëmbajë qytetin, të zhvillojë qytetin dhe t’i zgjidhë problemet e qytetit”, shkruan deputetja e PDK-së, transmeton Rekordi.net.
Hoxha e akuzon Ramën se ka ndjekur ambicie personale në vend të angazhimit për mirëqenien e qytetarëve, duke e përshkruar Prishtinën si një hapësirë me histori e përpjekje të përbashkëta që, sipas saj, po injorohen nga udhëheqja aktuale.
“Qyteti i Prishtinës është vendi ku andrra e përpjekje të qytetarëve të Kosovës kanë shënuar historitë e sukseset edhe në kohët më të vështira. E ai, po i mbytë andrrat e qytetarëve në këtë qytet përditë”, shkruan Hoxha.
Në përmbyllje të reagimit të saj, ajo përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe të ashpër, duke theksuar:
“E ke bo bërllog kryetar. BËRLLOG. Jo veç qytetin e Prishtinës por e ke njollosë edhe respektin për arkitektin”. /Rekordi.net