Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo City kërkojnë kalimin në raundin tjetër të UEFA Conference League

Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo City kërkojnë kalimin në raundin tjetër të UEFA Conference League

Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo City do të zbresin nesër në fushë për ndeshjet e kthimit të raundit të dytë të UEFA Conference League.

Të trija skuadrat shqiptare vijnë pas fitoreve në përballjet e para dhe synojnë të ruajnë avantazhin për të siguruar kualifikimin.

Egnatia do të presë Dinamo Minskun në stadiumin “Arena Egnatia”, pas fitores 0-2 në transfertë ndaj skuadrës bjelloruse. Ndeshja do të luhet të enjten në orën 21:00.

Dinamo City do të luajë ndeshjen e kthimit kundër AC Escaldes në stadiumin “Elbasan Arena”. Pas suksesit 1-2 në ndeshjen e parë, dinamovitët kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv për të kaluar më tej. Takimi do të nisë në orën 20:45.

Sakaq, Vllaznia do të udhëtojë drejt Islandës për ndeshjen e kthimit kundër Vikingur. Shkodranët fituan 2-1 sfidën e parë të zhvilluar më 24 korrik në stadiumin “Loro Boriçi” dhe tashmë synojnë të ruajnë epërsinë. Ndeshja e kthimit do të nisë në orën 20:45. /atsh/

Share This