E konfirmon Kurti: Peja, Gjakova dhe Prizreni pjesë e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

E konfirmon Kurti: Peja, Gjakova dhe Prizreni pjesë e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” do të shtrihen edhe në disa komuna të tjera të vendit, përfshirë Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Drenasin dhe Skenderajn.

Kjo është konfirmuar në takimin e radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM), ku në fokus të diskutimeve ishin drafti i Masterplanit, projektet prioritare dhe përgatitjet për organizimin e këtij aktiviteti të madh sportiv.

Përmes një postimi, Kurti ka theksuar se organizimi i garave në këto komuna është pjesë e konceptit fillestar të kandidaturës së Kosovës, me të cilin vendi fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave.

Ai ka bërë të ditur se përfshirja e qyteteve dhe shfrytëzimi i infrastrukturës sportive ekzistuese do të pasqyrohen në rishikimin e Masterplanit, i cili aktualisht është në shqyrtim.

Në këtë kuadër, do të merren parasysh edhe investimet në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe atë “Shani Nushi” në Gjakovë.

Sipas Kurtit, këto projekte do të kenë rëndësi jo vetëm për organizimin e Lojërave Mesdhetare, por edhe për zhvillimin afatgjatë të sportit në këto komuna.

Në takimin e KOLM-it është diskutuar edhe për projektet kryesore në kryeqytet, përfshirë Qendrën e Studentëve, e cila parashihet të shërbejë si Fshat i Atletëve, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, Qendrën Akuatike dhe Qendrën Nacionale të Tenisit.

Po ashtu, është ritheksuar rëndësia e ndërtimit të Stadiumit Nacional si projekt shtetëror për zhvillimin e sportit në Kosovë.

Sa i përket ceremonive të hapjes dhe mbylljes së Lojërave, është shqyrtuar mundësia e përdorimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, me rritjen e kapacitetit të tij. Për këtë çështje pritet të vlerësohen kërkesat organizative dhe koha e nevojshme për realizimin e përgatitjeve.

Në përfundim të takimit, anëtarët e Komitetit Organizativ janë dakorduar që në takimin e ardhshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare të prezantojnë një qëndrim të përbashkët dhe hapat e mëtejmë drejt realizimit të këtij projekti.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” synojnë të shërbejnë si një mundësi për zhvillimin e infrastrukturës sportive, avancimin e sportit dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës.

Share This