
Dy serbët e arrestuar: Punojmë për institucionet e sigurisë serbe
Dy nga katër serbët e arrestuar një ditë më parë nga Policia e Kosovës në Gjakovë, kanë konfirmuar se punojnë në institucione serbe të sigurisë. Ata u arrestuan pasi gjatë kontrollimit iu gjetën armë të ftohta.
Pavle Kragoviq deklaroi para Gjykatës Themelore në Gjakovë se punon si inspektor i policisë në Kragujevc, derisa Milovan Steviq deklaroi se është stomatolog, në akademinë ushtarake të mjekësisë në Beograd.
Në këtë seancë dy të arrestuarit e tjerë, Branko Rakiq dhe Nemanja Vamoviq nuk deklaruan se kanë lidhje me institucionet e sigurisë së Serbisë. Rakiq tha se është teknik i komunikacionit, derisa Vamoviq inxhinier i pylltarisë.
Prokurorja Venera Shala gjatë leximit të kërkesës për paraburgim tha se mjetet e mprehta i mbanin gjatë vizitës së manastireve ortodokse në Republikën e Kosovës. Ajo kërkoi masën e paraburgimit pasi rreziku i arratisjes për të pandehurit, sipas saj, lidhet me faktin se të gjithë janë shtetas të Serbisë dhe kjo mund t’i bëjë të paarritshëm nëse ata ikin në territorin e Serbisë.
Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla dje në një postim në Facebook shkroi se në veturën ku ishin serbët e arrestuar u gjetën dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative, por edhe një fotografi me fytyrat e pjesëtarëve të grupit terrorist që u vranë gjatë sulmit në Banjskë, raporton rtk.