Drita fiton edhe në “Zahir Pajaziti” ndaj Breidablik, avancon tutje
Drita ka shënuar fitore edhe në ndeshjen kthyese ndaj skuadrës islandeze Breidablik, për ta siguruar avancimin në raundin e tretë kualifikues për Ligën e Konferencës.
“Intelektualët” fituan me rezultat minimal 1:0, ndërsa siguruan kalimin tutje falë rezultatit 3:1 në përgjithësi.
Skuadra kosovare ishte prapë më e mirë se kundërshtari, pavarësisht që kjo e fundit zhvilloi disa aksione të bukura në “Zahir Pajaziti”.
Portieri Faton Maloku vazhdoi të jetë heroi duke bërë pritje mahnitëse, sidomos disa goditje nga distanca për ta mbajtur portën e paprekur në fund.
Golin e vetëm në përballje e shënoi sulmuesi Kastriot Selmani, i cili realizoi një eurogol nga distanca për ta lënë të shtangur portierin mysafir, si dhe siguruar avancimin tutje (67’).
Drita kishte edhe disa raste tjera për ta shtuar edhe më shumë epërsinë, mirëpo që dështuan t’i finalizojnë aksionet.
Kësisoj, Drita kalon në rrethin e tretë kualifikues, ku prapë do të jetë favorit i padiskutueshëm ngase përballet me fituesin e takimit FK Auda – Cliftonville, duke pasur një gjast të mirë për ta mbërritur së paku play-offin.