“Do t’i ashpërsojmë masat”, Kosova i përgjigjet BE-së: Nuk janë zgjidhje, po zbatojmë ligjin

“Do t’i ashpërsojmë masat”, Kosova i përgjigjet BE-së: Nuk janë zgjidhje, po zbatojmë ligjin

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pas paralajmërimeve të BE-së se mund t’i ashpërsojë masat ndaj Kosovës duke theksuar se sipas tij, masat e BE ndaj Kosovës janë krejtësisht të padrejta, dhe vendosja e të tjerave vetëm sa do të thellonte më tej padrejtësinë.

“Masat nuk janë zgjidhje. Koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë”, deklaroi Kryeziu.

Për më shumë, ai kritikoi BE-në se nuk ka ndërmarrë asgjë ndaj Serbisë pas sulmit në Banjskë ku dhe u vra polici i Kosovës.

“Në anën tjetër shtrohet pyetja çfarë masa ndërmori BE ndaj Serbisë e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar shpalli Ditë Kombëtare Zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Millan Radoiçiq e strehon dhe financon?”, shtoi Kryeziu.

Duke e cilësuar mbylljen e postave serbe në veri si çështje e sundimit të ligjit, zëdhënësi i Qeverisë tha se Kosova ka nevojë për mbështetjen e BE-se dhe SHBA-së.

“Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Mbyllja e nëntë zyreve të Postës së Serbisë të cilat kanë operuar pa licencës dhe në mënyrë ilegale, është çështje e sundimit të ligjit”, deklaroi ai.

Edhe hapja e Urës së Ibrit sipas Kryeziut është çështje e sundimit të ligjit e respektim i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

“Ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve të dala nga Brukseli që në vitin 2015, përveçse kontributi i drejtpërdrejt i integrimit të mëtejmë të qytetarëve tanë”, tha ai

Më herët Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano ka deklaruar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veri, janë ende në fuqi dhe mund të ashpërsohen më tej nëse Kosova nuk ndryshon kurs, veçanërisht mbi mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në Kosovë nga autoritetet dhe synimit të qeverisë së Kosovës që të hapë për trafikun urën mbi lumin Ibër.

Share This