Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbijetojë!
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 116 vjet më parë në Kongresin e Manastirit, tha se sot festojmë thesarin tonë më të çmuar, simbolin më të bukur të bashkimit kombëtar e qëndresës shqiptare, “alfabetin e gjuhës sonë të bekuar”.
Begaj, në një postim në Facebook, tha se Dita Kombëtare e Alfabetit nuk është thjesht festa e shkronjave shqipe, por përkujtim i shekujve të qëndresës së gjuhës sonë në të shkuarën, mirënjohje për vlerat e bukurinë e saj.
“Sot festojmë thesarin tonë më të çmuar, simbolin më të bukur të bashkimit kombëtar e qëndresës shqiptare: alfabetin e gjuhës sonë të bekuar. Dita Kombëtare e Alfabetit nuk është thjesht festa e shkronjave shqipe, por përkujtim i shekujve të qëndresës së gjuhës sonë në të shkuarën, mirënjohje për vlerat e bukurinë e saj në të tashmen dhe një zotim për ta çmuar e iu dedikuar në të ardhmen. Gjuha e shqiponjave do të mbijetojë!”, ka shkruar Begaj në Facebook.