Disi e argjendtë por me vlerë ari: Medaljen ia dedikoj krejt Kosovës
Xhudistja Distria Krasniqi ka folur pas fitores së medaljes së Argjendtë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Disi tha se ndihet e lumtur që ia siguroi Kosovës medaljen e Argjendtë Olimpike.
“Jam shumë e lumtur. Kur je në finale, do që ta marrësh të artën. Kam qenë shumë e fokusuar në gjysmëfinake dhe finalja erdhi shpejt dhe e kam lënë pak anësh. Kjo ka qenë aryseja se isha e përgjumur në finale. Por jam e lumtur me rezultatin”, tha Krasniqi.
Më tej, Krasniqi uroi që ngjashëm si vetë ajo të performojë edhe xhudistja tjetër, Nora Gjakova, teksa tha se medaljen ia dedikon trajnerit Toni Kuka, klubit, familjes së saj dhe gjithë Kosovës.
“Lojërat Olimpike kanë gjithmonë shumë stres por kjo nuk po ndodhë me mua. Kur je shumë e përgatitur nuk e ndien presionin”.
“Kam qenë shumë e përgatitur dhe e kam ditur se do të shkoja deri në finale. Medaljen ia dedikoj trajnerit, klubit, familjes e krejt Kosovës”, tha Krasniqi për RTK.
Ajo u mposht në finale nga uzbekja Diyora Keldiyorova me Ippon, teksa kjo është medalja e dytë olimpike për Disin.