Diferenca të frikshme, ja sa vlejnë rivalët e Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit sipas “Transfermarkt”
Shqipëria njohu sot kundërshtarët që do të ketë përballë në kualifikueset e Botërorit 2026.
Kuqezinjtë do të përballen me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.
Djemtë e Sylvinhos do ta nisin rrugëtimin e tyre më 21 mars në transfertë ndaj “3 Luanëve”. Për sa i përket vlerave të secilës kombëtare sipas faqes së specializuar “Transfermarkt” vihen re diferenca të frikshme.
Në bazë të grumbullimit të fundit, rezulton që vlera e Anglisë shkon në 993 milionë euro. Futbollisti me vlerën më të lartë te “3 Luanët” është Jud Bellingham plot 180 milionë euro.
Vendi i dytë mbahet nga Serbia me plot 240.7 milionë euro. Te serbët lojtari me vlerën më të lartë është Dusan Vlahoviç, 65 milionë euro.
Për sa i përket Shqipërisë, vlera e kuqezinjve shkon 91.15 milionë euro. Lista kryesohet nga Kristjan Asllani, me 18 milionë euro, i ndjekur nga Muçi me 12 milionë euro. Kujtojmë që në këtë listë mungojnë Broja dhe Gjimshiti, të cilët nuk ishin të disponueshëm në grumbullimin e fundit të kuqezinjve.
Vlera modeste për Letoninë dhe Andorrën, që shkojnë respektivisht në 11.85 milionë euro dhe 3.69 milionë euro.
Lojtari me vlerën më të lartë te Letonia është kapiteni Kristers Tobers, 1.3 milionë euro. Ai është shok skuadre me Abrashin te Grasshopers në Zvicër.
Lojtari me vlerën më të lartë tek Andorra është portieri Iker Alvarez, 800 mijë euro. 23-vjeçari është pjesë e klubit spanjoll të Villarealit.