Dhuna në Tiranë, policia: Në 7 ditë, 271 të arrestuar – Mes tyre 51 persona me precedentë penalë

Dhuna në Tiranë, policia: Në 7 ditë, 271 të arrestuar – Mes tyre 51 persona me precedentë penalë

Policia e Tiranës ka arrestuar 33 persona dhe ka proceduar penalisht 41 të tjerë, në vijim të veprimeve hetimore për tubimin e zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, personat e arrestuar dhe të proceduar dyshohet se gjatë tubimit kanë qëlluar me gurë dhe sende të forta në drejtim të punonjësve dhe automjeteve të Policisë. Gjithashtu, ata dyshohet se kanë dëmtuar koshat e mbeturinave dhe tabelat e sinjalistikës rrugore, duke përdorur sende të forta dhe zjarr.

Mes 33 personave të arrestuar janë edhe gjashtë të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç. Të arrestuarit e tjerë janë nga 18 deri në 42 vjeç.

Si pasojë e dhunës gjatë protestës, ku sipas Policisë kanë marrë pjesë edhe persona të maskuar, janë dëmtuar shtatë punonjës policie.

271 të arrestuar në shtatë ditë protesta

Policia bën të ditur se gjatë shtatë ditëve të protestave të dhunshme në Tiranë janë arrestuar gjithsej 271 persona.

Sipas autoriteteve, 51 prej tyre kanë precedentë penalë për vepra të ndryshme penale, përfshirë vrasjen, plagosjen, armëmbajtjen pa leje, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, prostitucionin, vjedhjen, mashtrimin dhe falsifikimin e dokumenteve.

Në listën e veprave penale të përmendura nga Policia përfshihen gjithashtu shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, mbajtja pa leje e armëve të ftohta, pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme, goditja, kundërshtimi ose mosbindja ndaj punonjësve të Policisë, si dhe vepra në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor. /GE/

Share This