Delegacioni izraelit optimist për bisedimet në Gazë
Ekipi negociator izraelit ka shprehur optimizëm pas raundit të fundit të bisedimeve në lidhje me armëpushimin në Gazë.
“Shpresohet se presioni nga shtetet ndërmjetësuese mbi lëvizjen islamike palestineze Hamas do të eliminojë rezistencën e tyre ndaj propozimit të SHBA-së për një marrëveshje dhe do të çojë në një përparim në bisedimet”, tha një deklaratë zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Kjo ishte deklarata e parë zyrtare nga Izraeli pas dy ditësh bisedimesh në Katar, të cilat nuk rezultuan në një përparim, por u përshkruan si konstruktive.
Delegacioni thuhet se e informoi Netanyahun se një marrëveshje e bazuar në propozimin e përditësuar të SHBA-së – përmban “komponentë të pranueshëm për Izraelin”.
“Ekipi i shprehu kryeministrit një optimizëm të kujdesshëm për mundësinë e përparimit në marrëveshje”, thuhet në deklaratë.
Negociatat për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të mbetur në Rripin e Gazës, të ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shtynë të premten.
Megjithatë, pritet që një tjetër takim i nivelit të lartë të organizohet në kryeqytetin egjiptian Kajro para fundit të javës së ardhshme.
Deri atëherë, negociatorët duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të mbyllur çdo “boshllëk të mbetur”.
Një përfaqësues i Hamasit, i cili nuk mori pjesë drejtpërdrejt në bisedimet në Doha, shprehu qëndrim të rezervuar për rezultatin e raundit të bisedimeve.