Deklarata për të Zhdukurit, BE: Zbatimi s’ka filluar ende nga palët, dialogu prek njerëzit si në Kosovë, edhe në Serbi

Deklarata për të Zhdukurit, BE: Zbatimi s’ka filluar ende nga palët, dialogu prek njerëzit si në Kosovë, edhe në Serbi

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në konferencën e tij të fundit për media, është pyetur edhe për deklaratën për personat e zhdukur, të rënë dakord nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar, por që e cila ende s’është zbatuar.

Stano tha se Vuçiq dhe Kurti në maj të vitit të kaluar miratuan deklaratën e përbashkët për këtë çështje, por që zbatimi i përbashkët siç tha ai nuk ka ndodhur.

“Për këtë çështje të veçantë, e cila është shumë e rëndësishme për njerëzit, sepse në fakt bëhet fjalë për njerëz, shumë e rëndësishme për familjet e atyre që janë ende të zhdukur. Sërish mund të kujtoj vetëm se ishte në maj të vitit 2023 kur presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti miratuan një deklaratë të përbashkët pikërisht për këtë çështje. Kjo deklaratë përmban çështje që përfshijnë shkëmbimin e informacionit, identifikimin e përbashkët të vendeve të varrimit, ndjekjen efektive të gërmimeve, etj. Por zbatimi i deklaratës së përbashkët, për fat të keq, ende nuk ka filluar”, tha ai.

Zëdhënësi i BE-së theksoi se një gjë e tillë është diskutuar edhe në takimin e fundit të 24 tetorit, dhe tha se presin që të ketë reagime e të mund të ecet përpara.

Çështja e personave të zhdukur, e në përgjithësi dialogu, Stano tha se prek njerëzit e të dyja vendeve, si në Kosovë, poashtu edhe në Serbi.

“Kjo do të ndodhë vetëm kur palët të pranojnë ose bien dakord për termat e referencës së komisionit të përbashkët. Kjo nuk ka ndodhur. Kjo është diskutuar herën e fundit në takimin e kryenegociatorëve më 24 tetor këtu në Bruksel. Dhe ndërsa një marrëveshje nuk është arritur, ajo është e arritshme dhe ne ende presim reagime për disa aspekte. Shpresojmë se do të marrim reagimet shumë shpejt që të mund të ecim përpara, sepse siç thashë, kjo çështje e veçantë, dialogu në përgjithësi, prek njerëzit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Por kjo çështje e personave të zhdukur ka një aspekt shumë, shumë të fortë njerëzor dhe duhet të çohet përpara sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Stano në konferencën për media.

Share This