
Dehari e cakton seancën më 9 shtator, thirret në marrëveshjen VV-LDK për kandidaturën e Bekim Sejdiut
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive më 9 shtator.
Dehari në një postim në Facebook tha se këtë vendim e mori duke u thirrur në marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje e LDK’së me kandidat për President, Bekim Sejdiun.
Dehari tha se “pret” që deri më 9 shtator deputetët të jenë të gatshëm “për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese”.
“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00. Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese. Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, raporton Express.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës njoftuan për një marrëveshje mes vete me kandidaturën e Bekim Sejdiut për President.
Por, këtë marrëveshje nuk e përkrahën gjashtë deputetë të LDK’së, pa votat e të cilëve Sejdiu nuk mund të zgjidhet.
Ndërkohë, partitë tjera e kanë akuzuar Kurtin për cenim të rendit kushtetues dhe uzurpim të institucioneve.

