Dëbimi i aktivistëve nga Serbia, 320 organizata letër BE: Beogradi të respektojë të drejtat e njeriut
Më shumë se 320 shoqata nga 27 shtete evropiane kanë nënshkruar një letër në të cilën kërkojnë nga Bashkimi Evropian që të mos lejojë Serbinë të shkelë të drejtat e njeriut.
Letra vjen pas ndalimit dhe dëbimit nga Serbia të aktivistëve civilë nga Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Rumania, Austria dhe Maqedonia e Veriut që morën pjesë në Akademinë e OJQ-ve Erste Stiftung në Beograd.
“Këta individë u arrestuan gjatë natës, u morën në pyetje pa prova, u deklaruan “kërcënime për sigurinë kombëtare” dhe u ndaluan të hyjnë në Serbi për një vit,” thuhet në letër.
Një ditë më parë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë thirri ambasadorin e Republikës së Serbisë, Slobodan Vukçeviq, në lidhje me ndalimin dhe dëbimin e dy shqiptarëve nga Serbia. MEPJ i kërkoi ambasadorit që raste të tilla të mos përsëriten.
Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë ndodheshin në Beograd prej ditës së martë për të diskutuar “strategjitë përmes të cilave organizatat joqeveritare mund të krijojnë të ardhura”. Serbia u ndaloi atyre hyrjen për një vit, si edhe 12 përfaqësuesve të tjerë të shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut, Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Çeke, Rumania dhe Moldavia, se ata “përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare”.
Nënshkruesit e letrës vunë theksin te represioni i intensifikuar kundër organizatave të shoqërisë civile serbe, aktivistëve, nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve.
“Këtë herë regjimi është fokusuar në një grup ndërkombëtar aktivistësh qytetarë të sponsorizuar nga një fondacion i respektuar austriak që promovon bashkëpunimin dhe mësimin rajonal”, thuhet në letër.
Këto veprime, thonë shoqatat, janë të drejtuara kundër profesionistëve të respektuar dhe iniciativave për bashkëpunim ndërkombëtar dhe tregojnë për armiqësinë në rritje të pushtetit serb ndaj aktivistëve civilë dhe gazetarëve.
“Shtypja po ndodh në mes të demonstratave masive studentore kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit, të cilat regjimi po përpiqet t’i shtypë duke fajësuar qytetarët e huaj dhe duke nxitur armiqësi ndaj vendeve fqinje dhe BE-së“, thuhet më tej në letër, ndërsa u bëhet thirrje autoriteteve serbe që të sqarojnë praktikat e padrejta të ndjekura.
320 shoqatat i kërkojnë Bashkimit Evropian mbajen përgjegjëse të Serbisë.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjitha viktimat e këtij regjimi dhe bëjmë thirrje për një përgjigje unike evropiane për të mbrojtur hapësirën civile, paqen dhe të drejtat e njeriut në Serbi”, thuhet në letrën e nënshkruar 320 shoqatat e shoqërisë civile. /rtsh/