De la Fuente: Nuk ka më të mirë se ne, kemi dominuar
Luis de La Fuente nuk e fsheh kënaqësinë e tij për dominimin ndaj Italisë dhe për kualifikimin e Spanjës së tij në fazën e 16-shes të Euro 2024, ndërsa ka dhe një ndeshje për të luajtur, atë me Shqipërinë.
“Jam krenar për një grup të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm lojtarësh që kanë një dëshirë të madhe për t’u përmirësuar”, – deklaroi trajneri i përfaqësueses spanjolle.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë ndaj një skuadre të madhe që e dominuam gjatë gjithë ndeshjes. Rezultati ishte i ngushtë. Patëm shumë mundësi. Shpresojmë të vazhdojmë të jetojmë sipas asaj që pritet prej nesh”.
De La Fuente i mban këmbët fort në tokë, sepse rrugëtimi është ende i gjatë:
“Kur duhet të takosh skuadrat e mëdha është një lojë ndryshe. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me përulësi dhe duke ditur se kemi hapësirë për përmirësim”.
Spanja e tij sulmoi pa pushim, por në fund triumfoi vetëm falë autogolit të Calafiorit.
“Ne nuk duhet të humbasim zemrën, sepse ndeshjet vendosen nga detajet. Nuk ka ndonjë më të mirë se ne dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me këtë bindje, duke respektuar të gjithë rivalët. Kemi pritshmëri të mira nëse vazhdojmë t’i bëjmë gjërat ashtu siç po i bëjmë”.