Dardanët sot mbajnë stërvitjen e radhës para ndeshjeve të tetorit
Kombëtarja e Kosovës në futboll, sot pasdite do të mbajë stërvitjen e dytë para ndeshjeve të tetorit në Ligën e Kombeve.
Dardanët më 12 tetor luajnë në udhëtim tek Lituania, derisa tri ditë më vonë Kosova sfidon Qipron në ‘Fadil Vokrri’.
Stërvitja e parë e Kombëtares sonë, është zhvilluar dje ku në seancën e parë stërvitore morën pjesë 12 futbollistë: Arjanet Muric, Visar Bekaj, Amir Rrahmani, Mërgim Vojvoda, Ilir Krasniqi, Andi Hoti, Donat Rrudhani, Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija, Fisnik Asllani, Emir Sahiti dhe Eliot Bujupi, kurse, pjesa tjetër e futbollistëve që luajtën gjatë të dielës në klubet e tyre zhvilluan stërvitje rigjeneruese në palestër.
Atmosfera në kamp është pozitive dhe lojtarët janë në formë të mirë fizike.
Trajneri Franco Foda, së bashku me stafin e tij teknik, po punojnë për të përgatitur skuadrën sa më mirë për ndeshjen e parë kundër Lituanisë.
Stërvitja e radhës mbahet sot në orën 16:00 në Kampin Nacional në Hajvali.