
CR7 s’largohet nga Al Nassr, gati superkontrata
Cristiano Ronaldo nuk ka ndërmend të largohet nga Arabia Saudite.
As-i portugez është gati të nënshkruajë një marrëveshje të re me Al Nassr, duke konfirmuar qëndrimin e tij edhe për sezonet e ardhshme.
Kontrata aktuale e Ronaldos skadon më 30 qershor 2025, por sipas mediave ndërkombëtare, të gjitha detajet formale të rinovimit tashmë janë përcaktuar.
Ajo që mbetet për t’u vendosur është vetëm kohëzgjatja e kontratës së re, nëse ajo do të jetë deri në 2026 apo 2027, një vendim që do ta marrë vetë portugezi.
Që prej mbërritjes në Al Nassr në fillim të vitit 2023, Ronaldo ka shënuar 93 gola në 105 ndeshje, një mesatare impresionuese që dëshmon për formën e tij të jashtëzakonshme edhe në moshën 39-vjeçare.
Synimi i tij është i qartë: të luajë në Kupën e Botës 2026, në moshën 41-vjeçare.
Aktualisht, CR7 përfiton 200 milionë euro në vit, por me rinovimin kjo shifër mund të rritet edhe më tej. Detajet financiare të kontratës së re ende nuk janë bërë publike, por pritet që ajo të jetë ndër më të lartat në historinë e futbollit.