“Ç’mund të thoni për kërcënimin me luftë të Putinit?” Biden përplaset me gazetarin: Më mirë hesht
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden e humbi gjakftohtësinë pas pyetjes së një gazetari britanik, se cili ishte mendimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë mbi kërcënimin e fundit me luftë të Vladimir Putinit.
Biden u përplas me gazetarin gjatë takimit që ai po zhvillonte në Shtëpinë e Bardhë në Uashington me kryeministrin britanik Keir Starmer nëse do të lejonin Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë brenda territorit rus.
Korrespondenti i Sky News e pyeti presidentin Biden për kërcënimin e fundit të Putinit se Perëndimi do të përballet në një luftë direkte me Rusinë nëse lejon Ukrainën të përdorë armët e aleatëve në territorin rus.
Nga ana e tij, presidenti 81-vjeçar i SHBA-së u përgjigj: “Unë them që të heshtësh derisa të flas. Në rregull? Kjo është ajo që them! Si të duket?”
Por gazetari vijoi me pyetjen e tij, aq sa nxehu Bidenin, i cili e qortoi përsëri: “Duhet të heshtësh! Do të bëj një deklaratë këtu, në rregull?”
Pas përfundimit të takimit, gazetari nuk hoqi dorë teksa e pyeti sërish Bidenin, se çfarë mendonte për presidentin rus, ndërsa ai ia ktheu se “nuk mendoj shumë për Vladimir Putinin”.
Në takimin me kryeministrin Starmer, Biden tha se Putini nuk do ta fitojë dot në luftën me Ukrainën.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të qëndrojnë me ju për të ndihmuar Ukrainën ndërsa ajo mbrohet nga agresioni rus. Është e qartë se Putini nuk do ta fitojë këtë luftë,” tha Biden.
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbi 55.7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake deri më tani që kur Rusia nisi ofensivën e saj në Ukrainë në shkurt të 2022-it.
Në fillim të kësaj jave, presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi se Rusia do të ishte “në luftë” me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s nëse ata heqin kufizimet në përdorimin e raketave perëndimore me rreze të gjatë veprimi nga ana e Ukrainës për të goditur brenda Rusisë.
Kërcënimet e Putinit erdhën pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony Blinken, gjatë një vizite të fundit në Kiev të Ukrainës, la të kuptohet se Shtëpia e Bardhë po shqyrtonte heqjen e kufizimeve ndaj Ukrainës që kjo e fundit të godasë brenda territorit rus.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë pretendime të tilla duke thënë se nuk po planifikon të shpallë ndonjë politikë të re për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi nga ana e Ukrainës.
Duke e quajtur retorikën e Putinit “tepër të rrezikshme”, Shtëpia e Bardhë, deklaroi se “nuk ka asnjë ndryshim në pikëpamjen tonë për ofrimin e aftësive të goditjes me rreze të gjatë që Ukraina t’i përdorë brenda Rusisë”. /rtsh/