City sfidon Evertonin e Brojës, Guardiola mbron Haaland-in: Nuk luan vetëm një lojtar!
Premier Liga nuk ndalet pasi nesër do të jetë “Boxing Day”-in i famshëm, i cili nis me takimin mes Manchester Cityt dhe Evertonit.
Skuadra e Armando Brojës udhëton drejt Manchesterit për një përballje të vështirë pasi vendasit janë dëshpërimisht në kërkim të pikëve.
Në vigjilje të këtij dueli trajneri i kampionëve të Anglisë, Josep Guardiola ka marrë në mbrojtje Erling Haaland, i cili është në qendër të kritikave pasi nuk po ndihmon ekipin e tij me formën e dobët të treguar.
“Nuk mund të flasim vetëm për një lojtar nëse mundohemi të gjejmë problemin që kemi. Mendoj se ne vuajmë në mbrojtje dhe në mesfushë prandaj nuk do të ishte e drejtë që të trajtonim Haaland si një problem vetëm se nuk ka shënuar mjaftueshëm gola për të na nxjerrë nga situata”, ka qenë analiza e ftohtë e trajnerit të Cityt.
Për Guardiolën fakti se Cityt ka qenë në majat e futbollit anglez për shumë vite është një minus i madh në përballimin e kësaj krize që nuk ka fund. Sipas tij mungesa e fitores është një situatë e re për të gjithë klubin, i cili e ka të vështirë të gjejë zgjidhje.