Çitaku: Vuçiqin nuk e frikëson Marshi për Liri, por verdikti në Hagë

Çitaku: Vuçiqin nuk e frikëson Marshi për Liri, por verdikti në Hagë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me Marshin për Liri, duke thënë se atë dhe Serbinë nuk i frikëson marshi, por verdikti në Hagë.

Çitaku ka theksuar se, sipas saj, frika e Serbisë dhe e armiqve të Kosovës lidhet me faktin se një popull i vogël, ndaj të cilit janë kryer përpjekje për shfarosje dhe është ushtruar përbuzje politike e kulturore, ka arritur të fitojë lirinë e tij.

“Kosova është shtet. E pavarur. Sovrane. E lirë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë për liri dhe mbijetesë, duke shtuar se ndërhyrja e NATO-s i dha fund katastrofës humanitare në Kosovë.

“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Luftë për liri e mbijetesë. NATO ka ndërhyrë për të na dalë në ndihmë dhe për t’i dhënë fund një katastrofe humanitare”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.

Në reagimin e saj, Çitaku ka thënë se historia e Kosovës nuk mund të ndryshohet përmes propagandës, viktimizimit apo kundërshtimit të manifestimeve dhe marshimeve në mbështetje të luftës çlirimtare.
“Kosova është e lirë. Move on”, ka përfunduar Çitaku.

Share This